Tri vjet e gjysmë kanë kaluar nga ky premtim i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Pas disa dështimesh, një përpjekje e radhës për ta përmbushur këtë premtim do bëhet të shtunën, kur vetura Audi Q7 do të vihet përsëri në ankand.
Aktualisht vetura është dërguar në parkingun e Shtëpisë së Ankandeve – Kosova, ku do të ekspozohet para ofertuesve të mundshëm.
Që kur e mori mandatin, në dhjetor të vitit 2013, Shpend Ahmeti nuk e ka përdorur asnjëherë këtë veturë. Audi Q7, i blerë për 76 mijë euro në vitin 2011 nga ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, do të dalë në shitje për herë të tretë, të shtunën.
Audi Q7, me vit të prodhimit 2011, motor 4.2 dizel – me tërheqje katërrotëshe dhe vetëm 75 mijë kilometra të kaluara, sipas drejtuesve të ankandit, është e gatshme për shitje.
Megjithëse nuk kanë saktësuar destinimin, në Komunë thonë se të gjitha paratë nga shitja e veturës do të ndahen për qëllime bamirëse.
Vetë Ahmeti, në prill të këtij viti, kishte njoftuar se vetura do të dalë në ankand me një çmim fillestar prej 31 mijë eurosh.
Por, jo-zyrtarisht, KTV-ja ka mësuar se çmimi fillestar për shitjen e Q7-shit do të jetë më pak se 25 mijë euro.
Beteja e Shpend Ahmetit për ta shitur veturën e blerë nga pararendësi i tij, kishte filluar ende pa u zgjedhur kryetar, me arsyetimin se një kryetari të komunës nuk i duhet një veturë aq luksoze me shpenzime të mëdha.