Ahmeti: Kuvendi i Prishtinës është bërë si kabinet qeveritar

E publikuar: 12/11/2015 23:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pas një debati të nxehtë sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku grupi i asamblistëve të LVV-së, lëshuan mbledhjen, foli në Interaktiv të KTV-së për bllokimin e Kuvendit Komunal.

Ahmeti nuk deshi të tërheqë paralele mes bllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Prishtinës, bllokim që, sipas tij, është i organizuar nga Sami Hamiti i LDK-së dhe Lirak Çelaj i PDK-së.

“Planet rregullative që ne i kemi dërguar ata po nuk po i kalojnë dhe po gjejnë arsye me emrin e Liburn Aliut, e unë i kam dërguar me emrin tim, por përsëri nuk po i kalojnë”, tha Ahmeti.

Në lidhje me Planin Rregullativ të Lagjes “Kalabria”, kryetari Ahmeti tha se është zhvendosur një rrethrrotullim.
“Aty qëlloi tokë e një deputeti të koalicionit qeverisës në qendër”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës tregoi ngjarjen e çështjes së kompanisë “Pastrimi”.

“E kemi dërguar në Gjykatë se si i është vazhduar mandati drejtorit të “Pastrimit” pa konkurs, Gjykata Themelore ka thënë se Komuna ka drejtë, Gjykata e Apelit e kthen çështjen, ndodh edhe njëherë njëjtë, por më pas në Themelore e ndërrojnë gjyqtarin, dhe komunës i refuzohet kërkesa”, tha Ahmeti.

Përbërjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ahmeti e ka quajtur pothuajse si Kabinet qeveritar, ngaqë, sipas tij, ka ministra, zëvendësministra, këshilltarë, shefe të kabinetit të kryeministrit, e të tjera.

“Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse është konflikt interesi. Nëse unë dërgoj një çështje në një ministri, aty është opozita e Kuvendit Komunal, sikur rasti tek projekti i parkingjeve në ministrinë e Blerand Stavilecit”, tha Ahmeti.