Ahmeti: Ka kaluar koha e Komitetit kur shkarkoheshin kryetarët e komunave

E publikuar: 10/12/2015 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas kërkesës së grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që t’i rekomandojë Qeverisë së Kosovës suspendimin e tij nga pozita e kryetarit të Prishtinës.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Sami Hamiti me asambleistët po mendojnë se është e vitit 1989 kur me vendime të Komitetit shkarkoheshin kryetarë komunash.

Lexoni postimin e plotë të Ahmetit:

Sami Hamiti me grupin e asambleisteve në komunën e Prishtinës i paska dërguar letër qeverisë për të më suspenduar mua si kryetar të Prishtinës.

Pasi ka humb në vota, pasi i ka humb ndikimi në ndërtim, pasi e kanë shkatërruar Prishtinën me 46 mijë ndërtime pa leje, e me qindra leje të dyshimta, pasi i kanë punësuar vëllezërit, motrat, fëmijët, dhondurët, e familjarët e tjerë në komunë, borde e ndërmarrje publike, mendojnë se është koha e 1989 kur me vendime të Komitetit mund të shkarkonin kryetarë komunash.

Ka kaluar ajo kohë. Në fakt ka kaluar koha e krejt këtyre.