Emin Azemi
Metodologjia që ka zgjedhur kryeministri Gruevski për të nxjerrë nga binarët normalë veprimin opozitar maqedonas, nuk është një metodologji që bazohet mbi ndonjë selektim të rastësishëm të viktimave politike. Ajo, para se gjitash, i ngjan një treni të gabuar që po e bën marshutën e vet të radhës sipas një itinerari tepër misterioz e të çmendur, ku askush nuk e din cakun dhe kohën e arritjes.
Derisa të arrijmë ta kuptojmë nëse liderët shqiptarë (Ahmeti e Thaçi) do të pranojnë me vullnet të bëhen konduktorë të atij treni, apo udhëtarë të zënë pengë, shoqëria e këtushme shqiptare do të vuajë edhe për një kohë pasojat e mos konsolidimit të brendshëm, brenda një agjende që do të rikonfiguronte një realitet krejt të ri politik, social e shoqëror.
Qasja klinteliste e politikanëve shqiptarë kundrejt partive maqedonase, ka determinuar një situatë absurde ku me vullnetin elektoral të shqiptarëve bëhet pazar për disa favore individuale.
Në momentet kur pëlcasin aferat dhe kur shteti instalon dhunë e terror siç ndodhi në Kumanovë, aparatçikët shqiptarë të politikës nuk munden të marrin qëndrim të prerë, për arsye të raporteve kilienteliste me partitë maqedonase. Në pritat që po mundohet Zaevi t’ia ngrejë Gruevskit, shtrohet pyetja se a ka rrezik të humb karrierën edhe ndonjë politikan shqiptarë, dhe çka do të bëhet me interesat kolektive kur kriza e përfaqësimit do të prek disa segmente të institucioneve.
Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat dhe cila do të jetë metodologjia dhe plan-agjenda e marrëdhënieve me faktorin e ri politik maqedonas që do të vije pas Gruevskit.
Në këtë kontekst, shqiptarët tash e tutje duhet të organizohen në një bllok të madh opozitar, duke angazhuar figura të shquara publike dhe veprimtarë e intelektualë nga diaspora. Deri në zgjdhjet e e ardhshme eventuale që do të mund të mbaheshin në vjeshtë, shqiptarët do të mund të kenë kohë ta nxjerrin një masë kritike e cila ka qenë mjaft e pakënaqur me dy partive kryesore shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të këputej zinxhiri fatkob i politikave klienteliste të aparataçikëve shqiptarë dhe në vend të kësaj do të mund të instalohej një frymë konstruktive në politikbërjen e shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase
E para e punës do të duhej të detektohej potenciali intelektual e profesional i shqiptarëve të këtushëm dhe në diasporë, i cili do të ketë për detyrë të hartojë një strategji afatgjate të linjave menaxhuese në politikat institucionale, sociale, ekonomike, zhvillimore, kulturore, dedikuar nevojave të shqiptarëve të këtushëm. Pa një përgatitje të tillë, ku do të duhej para se gjithash të ridefinohej karakteri i shtetit të Maqedonisë (me Zvicrën si model), shqiptarët nuk kanë nevojë të hynë në aventura të reja me maqedonasit.
Elektorati shqiptar në Maqedoni duhet ta kuptojë se dy partitë më të mëdha shqiptare (BDI, PDSH) deri më tani kanë bërë politika të pandershme mbi kurriz të tij dhe kjo në të ardhmen nuk guxon të përsëritet.
Mund të ketë edhe skenarë të tjerë për dalje nga kjo situatë, por ajo që na duket e kapshme është që shqiptarët të çmontojnë deri në themel trajtat e deritanishme të praktikimit të politikës për interesa të ngushta, klanore e mafioze.
Në stacionin e ardhshëm, shqiptarët e Maqedonisë duhet të arrijnë pa liderët e lartpërmendur. Është çështje kohe nëse ata sërish do të hipin në ndonjë tren të gabuar, ose të presin edhe pak që të akomodohen në itinerarin e vlerave të njëmendta politike e morale, pa bishtat e pakurrizorëve të deritanishëm që shitën gjithçka shqiptare për një komoditet të rrejshëm në kolltukun-bagël të Gruevskit.