Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re dhe mirëseardhje në Kosovë.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin që kanë pasur në të kaluarën me Komunën e Prishtinës, të gjitha sfidat, si dhe prioritetet e Komunës.
Kryetari Shpend Ahmeti tha se do të shikojnë së bashku mundësitë për implementimin e projekteve me Komisionin Evropian për ta bërë Prishtinën një vend më të mirë.
“Ishte një takim i frytshëm dhe besoj që do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen në të gjitha projektet që janë në interes të qytetarëve të Prishtinës”, tha Ahmeti.
Apostolova nënvizoi rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si një gur themel në marrëdhëniet Kosovë-BE.
“Me vendosjen e MSA-së, sfida e ardhshme është zbatimi. Pushteti lokal ka një rol të rëndësishëm në sjelljen MSA-së, më afër qytetarëve. Në këtë kontekst, ne jemi duke punuar në Agjendën Evropiane të Reformës (ERA), që është një mjet I orientuar drejt rezultatit për ti shndërruar prioritetet e MSA-së, në përfitime konkrete për popullin”, tha Apostolova.