Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, ka njoftuar se ka ligjëruar para efektivit të FSK-së për rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.
Në fjalën e tij, Isufi theksoi se rruga drejt lirisë ishte një proces i gjatë, në të cilin gjenerata të tëra sakrifikuan, duke u përmbyllur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me shpalljen e pavarësisë së vendit. Ai vlerësoi se proceset shtetformuese ishin rezultat i angazhimit të faktorit të brendshëm dhe harmonizimit me botën përparimtare.
Sipas tij, synimi kryesor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe në rajon.
Isufi falënderoi komandantin Arben Avdyli, si dhe ushtarët e eprorët e FSK-së për mikpritjen dhe interesimin, duke uruar njëkohësisht Pavarësinë e Kosovës.



















