Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka përkujtuar Heroin e Kombit, Gjeneral Major Shaban Shala, në 14-vjetorin e shkuarjes së tij në amshim.
Isufi ka theksuar se Shaban Shala ishte atdhetar i hershëm i çështjes kombëtare, veprimtar i ilegales dhe bashkëthemelues i KMDLNJ-së, duke dhënë kontribut të madh në organizimin e luftës së UÇK-së dhe në ndërtimin e ushtrisë dhe të shtetit të Kosovës.
Kujtimi për patriotin dhe luftëtarin Shaban Shala, sipas tij, mbetet i paharruar.
Postimi i plotë:
14 vjet nga shkuarja në amshim e Heroit të Kombit, Gjeneral Major, Shaban Shala.
Atdhetar i hershëm i çështjes kombëtare dhe bashkëveprimtar i ilegales me Rexhep Malën e Nuhi Berishën vazhdoi veprimtarinë pandërprerje si bashkëthemelues e drejtues i KMDLNJ-së, deri në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Gjatë tërë jetës së tij ishte në shërbim të popullit dhe do të marrë pjesë në të gjitha fazat vendimtare për fatin e vendit tonë, atë të ngritjes së vetëdijes kombëtare, me armë në dorë në luftën për liri dhe në transformimin e ndërtimin e ushtrisë e të shtetit.
I paharruar kujtimi për patriotin e luftëtarin Gjeneral Major, Shaban Shala.

















