Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, bashkë me familjarë, veprimtarë dhe shokë të luftës, ka vendosur buqeta lulesh pranë varrit të Heroit të Kombit, Xhevat Qerimi, në përkujtim të veprimtarisë dhe angazhimit të tij për lirinë e Kosovës.
Në një postim të tij, Isufi theksoi se Xhevat Qerimi ishte një nga nismëtarët e luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një figurë kyçe në formimin e strukturave të luftës për çlirimin e atdheut. Ai shtoi se Xhevati ishte edukuar dhe formuar në një familje me tradita patriotike dhe se u angazhua fuqishëm në shoqërinë revolucionare, duke u përgatitur ushtarakisht për çlirimin e Kosovës.
Pavarësisht se Xhevat Qerimi nuk arriti ta shijonte lirinë për të cilën luftoi, rruga që ai e filloi u realizua nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët realizuan idealet e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmet Isufi e përfundoi postimin me nderime të thella për Heroin e Kombit, duke shpallur lavdinë e përjetshme për Xhevat Qerimin dhe duke shprehur respektin dhe nderimin për familjen, bashkëveprimtarët dhe luftëtarët e lirisë.