Agron Demi: Me pagë bazë 1,859 euro, deputetët kanë përfituar 7 mijë euro për 4 orë punë

E publikuar: 13/07/2025 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar të marrin paga të plota, pavarësisht se prej muajit prill Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk ka funksionuar në mënyrë të rregullt.

Sipas analizës së bërë nga Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, që nga prilli e deri në korrik, taksapaguesit kosovarë kanë paguar mbi 1 milion euro për 120 deputetët, ndonëse puna e tyre ka qenë minimale.

Paga bazë e një deputeti është 1,859 euro, por ajo rritet në varësi të viteve të shërbimit dhe përfitimeve tjera si pagesat retroaktive. Vetëm në muajin maj, janë shpenzuar 235 mijë euro për pagat e 103 deputetëve, pasi 17 deputetë të tjerë që tani janë pjesë e ekzekutivit kanë kaluar në pozita më të paguara në Qeveri.

Deri tani, janë mbajtur 46 seanca të dështuara, dhe sipas llogaritjeve të Demit, që nga prilli deputetët kanë punuar rreth 4 orë në total. Për këtë periudhë, secili deputet ka përfituar deri në 7 mijë euro, çka nënkupton një pagesë shumë më të lartë sesa ajo e një punëtori me pagë minimale, që punon 12 orë në ditë për të marrë rreth 1,000 euro në muaj.

“Emrat nuk po i qes, ngase të gjithë e dini kush është deputet dhe kë e keni votuar,” shkruan Demi në reagimin e tij, duke i bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë për zgjedhjet që bëjnë.

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet jofunksional, ndërkohë që shpenzimet për mbajtjen e tij po rëndojnë mbi buxhetin publik, pa kthim konkret në punë apo ligjvënie efektive.