Kapiten në ndeshjen numër 150 me fanellën e Qarabagut. Për Ansi Agollin, transferta me Kapaz në kuadër të javës së 5-të të Ligës së Parë të Azerbajxhanit ishte shumë e vecantë. Futbollisti i kombëtares shqiptare për herë të parë që nga transferimi në 2010 te Qarabagu mbajti shiritin e kapitenit, një shenjë vlerësimi për kontributin e madh që ka dhënë në këtë skuadër mbrojtësi 32-vjecar.
Kjo sfidë nuk mund të shkonte më mirë për Agollin, pasi Qarabagu fitoi me rezultatin 2-3 duke ruajtur pozitën kryesuese në klasifikimin e përgjithshëm me 13 pikë nga 15 të mundshme.
Ansi Agolli është pjesë e Qarabagut që nga vera e 2010, fillimisht në formën e huazimit nga skuadra ukrainase Krivbas, që në janar të 2012 përfitoi 30 mijë paund nga shitja e kartonit të tij.
Në dy sezonet e fundit ka mundur të shpallet kampion i Azerbajxhanit me Qarabagun, që aktualisht është pjesë e fazës së grupeve të Europa League.