Drejtorja Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Getoarbë Mulliqi, së bashku me Yll Zekaj, përfaqësuesi ligjor i AGK-së, kanë mbajtur takim pune me përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se takimi u fokusua në bashkëpunimin institucional ndërmjet AGK-së dhe Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në databazën e përbashkët për rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe formave të tjera të presionit ndaj gazetarëve.
“Palët diskutuan gjithashtu për forcimin e koordinimit të punës dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, veçanërisht në rastet urgjente, me qëllim reagimin e shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve që cenojnë sigurinë fizike të gazetarëve, si gjatë raportimit në terren ashtu edhe në situata të tjera të ndjeshme”.
“Në kuadër të takimit, u theksua nevoja për raportimin dhe shkëmbimin e rregullt të informatave ndërmjet AGK-së dhe Policisë së Kosovës, për të siguruar që çdo rast i raportuar të trajtohet me prioritet dhe në kohë të arsyeshme”, thuhet në njoftim.
AGK dhe Policia e Kosovës riafirmuan përkushtimin e tyre për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional, përmes koordinimit të aktiviteteve dhe mekanizmave të përbashkët, me qëllim kontributin e drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë fizike të gazetarëve dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për ushtrimin e profesionit të gazetarit në Kosovë.


















