AGK dënon sulmin ndaj gazetarit Morina, kërkon masa urgjente ndaj sulmuesve

E publikuar: 26/01/2016 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të portalit Veriu.info, Gazmend Morina.

AGK përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin për ushtrimin e profesionit të lirë dhe ka kërkuar nga organet marrjen e masave urgjente ndaj personave që kanë kryer sulmin.

Ky është reagimi i plotë i AGK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon sulmin ndaj gazetarit të portalit “Veriu Info”, Gazmend Morina, nga asambleisti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, punëtor i PTK-së në Vushtrri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se gazetari Gazmend Morina është sulmuar me shufra hekuri nga asambleisti Dedia dhe disa persona të tjerë lidhur me raportimet e fundit për zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”.

AGK kërkon kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesve dhe kërkon nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës që të mbajë në përgjegjësi asambleistin Dedia.

AGK është njoftuar se gjendja e gazetarit, pavarësisht lëndimeve është stabile dhe pas trajtimit mjekësor është liruar për në shtëpi.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese e të pa tolerueshme dhe AGK e cilëson këtë si kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë.

Ky është edhe një rast, që tregon për vështirësitë e gazetarëve në përmbushjen e misionit profesional të tyre, për informimin rreth ngjarjeve dhe temave me interes qytetar.