Tevez po, Tevez jo. Sulmuesi argjentinas i Juventusit e ka alarmuar jo pak ambjentin bardhezi gjatë ditëve të fundit për shkak të një vizite të papritur të presidentit të Boca Juniors në Torino.
Nëse merren parasysh edhe deklaratat e vetë sulmuesit që ka lënë të hapur një largim të mundshëm në fund të sezonit, situata për skuadrën e Allegrit bëhet serioze sepse shoqëria duhet të ndërhyjë menjëherë në merkato për të afruar një lojtar me cilësitë e tij. Gjithsesi, për të qetësuar përkohësisht ambjentin mendon agjenti i lojtarit, i cili nënvizon se “Apashi” nuk do të largohet nga ekipi në fund të sezonit.
“E vetmja gjë e sigurt është se Tevez dëshiron të respektojë kontratën me Juventusin”, qartëson Adrian Ruocco, i cili kërkon që mediat të mos ushtrojnë presion ndaj lojtarit në pikën më kulminante të sezonit. Në fund të deklaratës, agjenti shton se Tevez do ta mbyllë karrierën në Argjentinë pasi dëshiron të qëndrojë pranë miqve dhe të afërmve. Fjalë që ulin disi tensionin në radhët e tifozëve për të cilët Tevez është simboli i skuadrës aktuale dhe një largim i mundshëm i tij në fund të sezonit do ta trazonte jo pak ekipin e ndërtuar nga Massimiliano Allegri.