Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga partitë politike të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve

E publikuar: 16/12/2025 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Para fillimit të fushatës zgjedhore, Agjencia për Informim dhe Privatësi, u ka bërë thirrje partive politike që të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve.

Agjencia ka kërkuar nga partitë që të mos përdorin të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet dhe të respektojnë të drejtën e tyre për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave të tyre.

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, partitë politike obligohen që:

-Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;

-Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo-politike, për komunikim ose marketing politik.

-Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit.

-Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) sipas udhëzimeve të AIP.

-Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të  publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.