Agjencia Kadastrale e Kosovës, të martën ka mbajtur takim koordinues ndërinstitucional me kryetarët e komunave të Kosovës. Temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit, planet dhe objektivat në fushën e Kadastrit, Pronës dhe Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, foli për masatë marra siç tha në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve
Ai përmendi shpronësimet, realizmin e projekteve rrugore, shlyerjen e borxheve e eliminimin e procedurave burokratike përmes digjitalizimit.
“Përgjatë qeverisjes sonë kemi bërë reforma të shumta, me theks të veçantë shpronësimet e tokave përmes procedurave ligjore, duke mundësuar realizimin e rrugëve me interes nacional të vendit, shlyerjen e borxheve të shpronësimeve dhe reduktimin e procedurave burokratike përmes digjitalizimit. Kemi hartuar edhe Ligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor, të cilin e kemi miratuar në Kuvendim e Kosovës”.
“Si ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, edhe më tej do të përpiqemi maksimalisht që të ofrojmë mbështetje të plotë Agjencisë Kadastrale të Kosovës për realizimin e reformave në kadastrin shtetëror”, tha Aliu.
Sokol Haliti nga Asociacioni i Komunave të Kosovës njëherësh kryetar i Vitisë, foli për ofrimin e shkërbimeve kadstrale në veri të vendit, duke sqaruar se qytetarët në këtë pjesë nuk po marrin shërbime konform legjislacionit të Kosovës.
Sipas tij, mesazh i kësaj konference duhet të jetë llogaridhënia ndaj qytetarëve si obligimin ligjor e moral ndaj përmirësimit të qeverisjes së drejtë e demokratike.
“Zyra Kombëtare Kadastrale ofron shërbime për persona fizik dhe juridik si dhe për institucionet publike në 35 nga 38 komunat e Kosovës, ndërsa në tri Komunat tjera, respektivisht në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan edhe krahas përpjekjeve të AKK-së administrimi i kadastrës nuk po bëhet konform legjislacionit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i kësaj dhe me qëllimin e ofrimit të shërbimeve kadastrale për qytetarët e këtyre tri komunave, AKK duke u bazuar në Ligin për kadastër ka vendosur që të pranojë kërkesat e qytetarëve të tri komunave veriore, dhe për të njëjtat të lëshohen dokumente kadastrale dhe pronësore, si dhe të bëhet mirëmbajtja e Regjistrit të të Drejtave mbi Pronat të Paluajtshme për të cilët gjendje shpresojmë te rregullohet me përfshirjen ne mandatit të kryetarëve të sapozgjedhur”, tha Haliti.
“Ngritja e kapaciteteve humane e teknologjike për Zyrat Kadastrale Komunale, ne realizimin e shërbimeve efikase për qytetarët janë në vazhdën e angazhimeve të përbashkëta për reformë të kadastrit në Kosovë. Ky takim sot do të shërbeje, si mesazh për ngritjen e vetëdijes mbi llogaridhënien publike që të gjithë e kemi karshi votuesve dhe qytetarëve të komunave të cilat i përfaqësojmë, si dhe obligimin ligjor e moral ndaj përmirësimit të qeverisjes së drejtë e demokratike”, tha tutje Haliti.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se si nivel komunal, kanë arritur që t’i shkurtojnë pritjet e gjata të qytetarëve për t’u pajisur me dokumente.
“Si kryeqytet gjatë këtij viti kemi ndërmarrë veprime të ndryshme praktike të cilat kanë sjell rezultate të prekshme e ndryshime pozitive për gjithë qytetarët. Kemi rritur edhe numrin e personeleve me fokus në zyret pritëse e nëpër sporteleve, nga 6 në 15 që i kemi tani, dhe kjo e ka minimizuar kohën në procedurë dhe duke rritur efikasitetin e punës në sistemin kadastral të kryeqytetit. Nga pritjet e gjata sot në Prishtinë mundesh me marr një certifikatë menjëherë, pra pa pasur nevojë me prit”, tha Rama.
E zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, prezantoi disa statistika për vitin 2022 në aspektin kadasral të Kosovës.
“Si institucion i shkallës së dytë pranojmë palë çdo ditë në bazë të kërkesave apo ankesave të tyre. Gjithsej janë lëshuar 350 mijë certifikata dhe kopje të planit, janë regjistruar rreth 4 mijë lëndë të hipotekave dhe vlera e tyre shkon në rreth 2 miliardë euro. Janë gjithsej 23 mijë lëndë të shitblerjeve dhe janë gjithsej 6 400 lëndë të trashëgimisë”, tha Ahmeti.