Agim Bahtiri e ka një porosi për Behgjet Pacollin!

E publikuar: 01/02/2016 19:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dega e AKR-së në Mitrovicë këtë muaj do të konsolidohet, duke zgjedhur organet e reja drejtuese të cilat do të përbëhen nga njerëzit më të devotshëm të Mitrovicës. Kështu paralajmëron kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në një prononcim për Veriu.info nga Holanda ku gjendet në pushim, kryetari Bahtiri tregon se muaji shkurt do të jetë një muaj me shumë aktivitete për AKR-në në Mitrovicë.

“Ne do të bëjmë zgjedhjen e kryesisë së re, e cila do të përbëhet nga personalitetet më të shquara të Mitrovicës. Po ashtu shumë shpejt do të kryhen zgjedhjet edhe në forumin rinor të degës së AKR-së. Ne iu kemi ofruar mundësinë të gjithë njerëzve të cilët janë të gatshëm të punojnë për të mirën e Mitrovicës, ku siç do të shihni, pjesë e AKR-së do të jenë shumë intelektual dhe veprimtar të shquar, të cilët do të bashkohen rreth projektit të AKR-së”, thotë Bahtiri për Veriu.info.

Ai thotë se deri më tash nuk ka qenë shumë i fokusuar në aktivitetet partiake të degës, pasi që tregon se ka qenë i angazhuar në çështjet vitale të Mitrovicës, duke përfshirë stabilizimin e gjendjes në Mitrovicën e veriut.

“Në mandatin tim kam punuar që asnjë familje të mos shpërngulet nga veriu për shkak të sigurisë. Tashmë edhe çështja e zhbllokimit të Urës së Ibrit është në procesin përfundimtar dhe në muajin qershor do të jetë e hapur për qarkullimin edhe të automjeteve”, thekson kryetari Agim Bahtiri.

I pari i Mitrovicës ka një kërkesë edhe për presidentin e AKR-së, Behgjet Pacollin, të cilit i ka kërkuar që të aktivizohet edhe më shumë në aktivitete partiake. “Tash është momenti që edhe Presidenti Behgjet Pacolli ta rrit aktivitetin në AKR, sepse vetëm AKR-ja me në krye presidentin Pacolli mund të jetë parti e cila mund të bëjë ndryshime pozitive në Kosovë. Ju tashmë po e shihni në çfarë situate politike është katandisur Kosova, për shkak të inateve në mes të pozitës dhe opozitës.

AKR-ja ka resurse njerëzore të mjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje, secilit problem me të cilin po përballet vendi ynë. Po ashtu ju bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të AKR-së në gjithë Kosovën, që të aktivizohen për ta ngritur AKR-në aty ku e ka vendin”, shprehet Bahtiri.