Agani: Po, Perandoria Osmane e ka pushtuar Kosovën, PD nuk është parti islamiste

E publikuar: 17/06/2015 01:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

(E plotësuar) – Ferid Agani thotë se nuk është mirë që momentalisht të diskutohet për pushtimet e Turqisë në rajon, temë që u ngjall ditëve të fundit pas reagimeve nga imami tashmë i përjashtuar, Irfan Salihu, por edhe nga Kryeimami i BIK-ut, Naim Tërnava sot gjatë ceremonisë së 626 vjetorit të vdekjes së Sulltan Muratit l, në Betejën e Kosovës.

Ai thotë se historia e para pesë shekujve askund në botë nuk ngatërrohet me të tashmen.

“Nuk ka rëndësi që të diskutohet se a e ka pushtuar Turqia Kosovën kohë më parë. Mendoj se duhet të merremi me problemet e qytetarëve. Me Gjykatën Speciale që po na tregon ndërtimin e shtetit tonë. Duhet të sigurojmë unitet dhe të mos ngjallim përçarje mes popullit. Pse të dështojmë si shtet dhe t’ia plotësojmë dëshirën Serbisë”, ka thënë Agani, raporton Koha.net.

Por, në fund, pas një debati me drejtuesin e emisionit, Agani e pranoi se Perandoria Osmane ka qenë pushtuese në Kosovë.


Agani: PD nuk është parti islamiste e as religjioze

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, i ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka folur në lidhje me procesin e zgjedhjeve në këtë parti, të cilat u mbajtën më 7 qershor të këtij viti, ku ai u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat.

Në këtë Kuvend Zgjedhor, gazetarët ishin larguar nga salla, ndërsa Agani tha se nuk ka qenë vendim i partisë që ata të largohen.

Veç kësaj, ai është ndalur edhe në orientimin që partia e tij ka, duke mohuar se është parti islamiste apo religjioze.

“Është parti konservatore, e jo islamiste e as religjioze”, ka thënë Agani, ndërsa në rastet kur u ka dalë në mbrojtje vajzave që nuk janë lejuar të shkojnë në shkolla publike me shami, ka thënë se këtë e ka bërë në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Tutje, Agani ka thënë se nuk është e vërtetë se PD-së i janë larguar shumë anëtarë, duke theksuar se në zgjedhjet e fundit ka fituar vota të cilat edhe e kanë përcaktuar formimin e qeverisë së re.

Ndërkaq, për largimin e Gëzim Kelmendit nga PD-ja dhe formimin e partisë së re nga ana e tij, Agani tha se kjo nuk e dëmton fare PD-në dhe elektoratin e vet.