Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka prezantuar të martën në konferencën e tetë regjionale për Kadastër dhe Infrastrukturë të të Dhënave Hapësinore, me titull “Kadastra shumë qëllimore në procedurat e administrimit të tokës”, në të cilën po marrin pjesë përfaqësues nga vendet e regjionit.
Ministri Agani, me këtë rast ka deklaruar se administrimi i tokës dhe kadastrës së bashku me infrastrukturën e të dhënave hapësinore janë fundamentale për një qeverisje të mirë, andaj këtë konferencë e ka vlerësuar si shumë të qëlluar për të avancuar edhe më tutje nivelin e administrimit të tokës.
“Sikur shumë shtete të zhvilluara që kanë projektuar, zhvilluar dhe përdorur tokën si burim të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të tyre, edhe Republika e Kosovës që nga themelimi i saj si shtet i pavarur në vitin 2008, ka implementuar një infrastrukturë moderne të administrimit të tokës, kadastrës dhe të dhënave hapësinore, benefitet e të cilës janë të përditshme e të pandalshme për qytetarët tanë”, ka pohuar ministri Agani.
Agani shtoi se praktikat më të mira të shteteve të zhvilluara, shkëmbimi i të dhënave, shkëmbimi i njohurive dhe i ekspertëve me ato shtete përmes forumeve si ky i sotmi, ngritja e kapaciteteve profesionale brenda institucioneve vendore, zhvillimi i një vargu të madh produktesh dhe shërbimesh, kanë dhënë kontribut të madh në ngritjen e kualitetit në administrimin e tokës, kadastrës dhe infrastrukturës së të dhënave hapësinore.
Në këtë konferencë kanë folur edhe përfaqësuesit e vendeve të regjionit, të cilët kanë paraqitur rëndësinë e administrimit të tokës dhe kadastrit.