Hoti: Zgjedhja e Trumpit, mundësi e re për Kosovën

E publikuar: 06/11/2024 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zgjedhja e Donald Trumpit president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin, pasi do të sjellë një energji të re, thotë Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Kosova ka pasur historikisht marrëdhënie të forta me të dyja administratat amerikane, kështu që qasja e presidentit Trump ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, si e komentoni zgjedhjen e Donald Trumpit si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Afrim Hoti: Po, mendoj se është lajm i mirë për Kosovën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, në përgjithësi, sepse fundja, para së gjithash, ky është vullnet i shprehur lirshëm i qytetarëve amerikanë.

Rrjedha e deritashme, respektivisht Qeveria (Joe) Biden si duket nuk ka qenë në nivelin e energjisë që i duhet një shteti të fuqishëm siç është SHBA-ja dhe domosdo mendoj se ka pasur nevojë për një ridinamizim të proceseve dhe për një ridimensionim të raportit të SHBA-së me vendet e tjera.

Dhe, dua të besoj që ky është një moment shumë i mirë, jo vetëm për amerikanët, por për mbarë botën.

Radio Evropa e Lirë: Si i parashikoni raportet e administratës Trump me shtetin e Kosovës?

Afrim Hoti: Unë dua të besoj se kushdo që udhëheq me institucionet e Kosovës, duhet të jetë i vetëdijshëm, se ka pak rëndësi fakti se kush udhëheq me Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta.

Madje, edhe vetë ecja e Kosovës ka qenë ngushtë e lidhur me këto administrata. Nëse e shohim nga perspektiva historike, duhet të kemi parasysh faktin se republikanët paraqesin atë trashëgiminë e filluar nga presidenti (Ronald) Regan, po ashtu që është përshkruar me lajme historikisht pozitive për Kosovën, duke filluar nga George Bushi i vjetër, Georg Bushi i riu. Pastaj Trumpi në kohën kur Kosova e kishte themeluar ushtrinë e vet etj.

Dhe, mbi këtë bazë, unë dua të besoj se administrata e re, Trump, do të sjellë energji të reja, do të ridinamizojë procesin dhe nuk kam asnjë dilemë – që jo vetëm Kosovën, por gjithë Ballkanin do ta drejtojë nga evropianizimi ekonomik i tij.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, liderët e Kosovës e kanë uruar Trumpin për fitore në zgjedhjet presidenciale. Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “mezi pret të punojë së bashku me të për përparim dhe paqe”. Si mund të jetë ky bashkëpunim?

Afrim Hoti: Lajmi i parë i mirë është fakti se liderët institucionalë dhe ata opozitarë kanë uruar për zgjedhjet në SHBA. Lajmi i dytë i mirë është fakti që edhe kryeministri Albin Kurti, sikurse liderët e tjerë – pavarësisht nëse janë pozitë apo opozitë – e kanë kuptuar dhe duhet edhe më tej ta të kuptojnë faktin jo vetëm që duhet të mbahen raporte të ngushta dhe të funksionojnë me ta, por duhet të jepet energji shumë më e fuqishme në kuptimin e lobimit për t’i dhënë Kosovës pozitën që vërtet e meriton në administratën amerikane.

Këtu duhet të kem parasysh faktin që ka disa vite, nuk po flas këtu vetëm për udhëheqjen e kryeministrit Kurti, por edhe të viteve më parë, që në njëfarë forme është zbehur lobimi dhe raporti i ngushtë i kosovarëve me amerikanët, duke e marrë raportin Kosovë- Amerikë si të mirëqenë. E, që në fakt, nuk është i tillë, sepse raportet kanë ndryshuar, madje skajshëm.

Neve, si duket na është ndalur ora në vitet e mëparshme, dhe po mendojmë se SHBA-ja udhëhiqet nga (Madeleine) Albright dhe (Bill) Clinton etj.

Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashme serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshme për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së. /REL/