Afërdita këtë periudhë ke qenë në lëvizje, si po shkon karriera si modele?
Ka qenë gjithë ky vit i angazhuar me punë. Duke filluar që nga janari
kam qenë në udhëtime, USA në Miami, tani në Europë, isha në Barcelonë,
Milano dhe nesër do të nisem në Gjermani. Por, do të rikthehem në Tiranë
për t’u marrë me muzikë e koncerte. Jam duke bërë një këngë të re, e
cila do të shoqërohet edhe me një klip.
Pra një jetë mes dy profesioneve, modeles dhe këngëtares?
Po, si zakonisht. Sapo kam përfunduar një këngë të re ritmike, është
realizuar në Kosovë dhe së shpejti do t’i bëj edhe klipin, që edhe këtë
herë do të vijë nga Max Production. Kësaj here kam menduar të bëj një
klip shumë të thjeshtë, që të dominojë melodia e këngës dhe vetëm
Afërdita.
Po jeta personale si shkon?
Jeta shkon shumë mirë. Në udhëtime. E qeshur, e lumtur…
Tashmë ke një histori të re dashurie…
Nuk kam qejf të flas shumë për këtë temë, por mund t’ju them që jam e lumtur.
Jeni e dashuruar?
Çdo herë dashuroj! (Qesh) Jam shumë shumë e lumtur dhe kur njeriu është i
lumtur dashuron! Kjo ndjenjë, kjo lumturi, të shoqëron në këto
udhëtime?
Unë nuk e bëj bashkë punën dhe dashurinë. Kur shkoj për punë shkoj vetëm
për punë dhe përqëndrohem totalisht aty, por mundohem çdo herë të
buzëqesh, sepse në punën time nëse nuk jam e lumtur brenda, reflektohet
edhe së jashtmi.
Ndërkohë, e keni ndjekur karrierën dhe jetën e ish-të fejuari tuaj Shpat Kasapi?
Unë jam aktuale me punën që bën me muzikën, nuk kam asnjë gjë kundër
atij njeriu dhe definitivisht unë i uroj shumë sukses edhe atij!
Balada e tij e fundit është një dedikim për ty? Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Aq i hidhëruar paska qenë (qesh)?! Nuk kam komente për këtë gjë. Nëse
vërtet kjo këngë ka qenë një dedikim për mua, atëherë më vjen keq që
paskam qenë kaq e dhimbshme.
Mbani më kontakte së bashku? Si janë marrëdhëniet tuaja sot?
Jo, në fakt kemi shumë kohë që nuk mbajmë kontakte, por që sigurisht
kudo që të jetë, unë do t’i flas, do t’a përshëndes. Nuk kam asnjë gjë
me të, ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime për aq sa ka qenë,
një pjesë e bukur madje…
Me televizionin e nise këndshëm, por e ndërpreve krejt papritur.
Deri tani nuk keni dhënë një shpjegim të saktë të largimit tuaj…
Po… E vërteta është kjo: Unë jam person që lëviz, puna ime është e tillë
që iki gjithandej, dhe edhe sikur dikush provon të ma ndalojë unë nuk
rezistoj dot. Puna është se televizioni kërkon shumë kohë dhe do madje
të të izolojë aty brenda, gjë që unë nuk e përballoj dot. Edhe pse në
fakt kontrata ishte shumë e vogël, një lloj prove për 3-4 muaj. Kështu
që siç ju thashë puna ime është lëvizja dhe për këtë nuk më ndalon
asgjë.
A ia vleu ajo eksperiencë e shkurtër dhe çfarë mësove prej saj?
Ja vlente se ishte vetëm për 2 muaj. Ishte shumë periudhë e shkurtër.
Ishte interesante dhe ia vleu se më dha një tjetër ritëm, që nga zgjimi
herët në mëngjes çdo ditë, gjë që nuk e kisha bërë ndonjëherë më parë.
Si zakonisht unë vij nga një vend që është me shumë profesionalitet dhe
kjo gjë ishte pak e vështirë për mua, sepse nuk ishin gjërat ashtu
sikurse funksionojnë jashtë dhe ashtu si unë kisha pritur. Por, isha me
njerëz të mirë brenda dhe kalova një periudhë shumë të mirë.
Është e mjaftueshme për ty kjo eksperiencë në ekran, apo dëshiron që ta provosh sërish?
Nuk besoj që do të doja ta riprovoja! Nuk jam njeri që kënaqem me një
punë dhe të zgjohem çdo mëngjes për të ikur aty. Unë çdo ditë provoj
gjëra të reja ashtu siç kam bërë deri tani.
Në peshë ke rënë mjaft, ka qenë e qëllimshme e gjithë kjo rënie?
Unë e kam parë dhe e kam kuptuar që të shkoj në palestër jo vetëm për të
rënë në peshë por edhe për të bërë muskuj më bën shumë mirë. Unë jam
zakonisht nëpër udhëtime vetëm, më duhet energji pozitive, më duhet
energji dhe e kam vënë re që nëse shkoj në palestër dhe ushqehem
shëndetshëm dukem dhe ndihem më mirë. Kjo më ndihmon shumë në punën që
bëj.
Si është në fakt raporti juaj me ushqimin? Je si gjithë modelet në dietë të përjetshme?
Mundohem të ushqehem sa më shëndetshëm. Normal edhe unë dashuroj
Nutella-n dhe çokollatën, dhe ato ndonëjherë kur jam e mërzitur më
shoqërojnë shumë mirë. I vë vetes regjim në të ushqyer kur duhet pasi
kështu e ka puna ime.
Përveç ushqimit, cilat janë privimet e tjera të jetës si modele?
Sigurisht që ka shumë privime. Pasi unë qejfin e kam që kur shkoj nëpër
Europë, apo rasti konkret që isha në Barcelonë e Milano, si çdo e re
edhe unë kam qejf që të dal nëpër disko, të kërcej, të dëfrehem, por nuk
mundem pasi në orën 08:00 më duhet të zgjohem, duhet të dukem pastër në
fytyrë, jo e lodhur. Dhe mjafton që unë udhëtoj shumë dhe lodhem,
imagjino edhe të dalësh natën është e patolerueshme. Pra, kjo të
kufizon…! Pastaj normal që edhe unë kam dëshirë të ha çfarë më do
stomaku, por nuk mundem, sepse mund të kem një set fotografik, një
sfilatë, etj… gjë që nuk ju intereson atyre që të kanë punësuar… Kështu
që privohesh nga disa kënaqësi të jetës.
Afërdita, a e ke një ëndërr të madhe edhe ti që dëshiron të arrish në fushën e modelimit?
Po unë shkoj dita-ditës. Unë kënaqem me çfarë kam arritur deri tani. Kam
bërë shumë gjëra, kam provuar çdo gjë. Por them se ëndrra e çdo
modeleje është të sfilojnë për Victoria Secret, por kjo është vetëm një
ëndërr…! Jam e lumtur me punën time deri tani. Është një jetë e bukur,
punoj, udhëtoj, është një jetë e larmishme, shumë e bukur.
Puna që bën si modele është shumë larg Tiranës, përse të pëlqen
të vish dhe të jesh kaq e pranishme me kryeqytetin shqiptar? Çfarë të
mban kaq të lidhur këtu?
E dashuroj Tiranën. Dashuroj njerëzit këtu. Pastaj është edhe muzika që
më lidh këtu. Vera e ka atë dashurinë e vet, pastaj kur jam për foto në
Europë më vjen shumë për mbarë të vij të pushoj këtu, dhe ta shfrytëzoj
për muzikën çdo ardhje timen këtu. Pastaj shoqëria që kam, kjo është
familja ime këtu, pasi familjen e vërtetë e kam larg në SHBA.
Bën pazar kur je në Tiranë? Cila është rutina e jetës tënde në kryeqytet?
Rrallë blej gjëra. Por e them që unë mund të jetoj shumë mirë këtu, edhe
pse kam jetuar shumë jashtë, sërish sot në Tiranë gjen çdo gjë për të
jetuar bukur. Kur jam këtu zgjohem, ha mëngjes, pi një kafe, mundohem ta
mbaroj palestrën në mëngjes që ta kem ditën përpara, qoftë kur e kam
ditën e lirë e kaloj me shoqërinë apo në rastet e tjera, shkoj në studio
për të parë ndonjë material të ri, pasi jo gjithmonë e gjej kollaj atë
që dua. Ndonjëherë shkoj edhe në Kosovë, pasi edhe atje më duan. Por,
nuk është se kam një agjendë të caktuar, gjithçka varet nga puna, nga
stina…



















