Afera e 1 milion eurove të fshehura në furgon, konfirmohet se tre të dyshuarit lanë Kosovën dhe shkuan në Shqipëri

E publikuar: 09/03/2026 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre shtetas të Shqipërisë, të arrestuar në rastin e sekuestrimit të rreth 1 milion eurove në pikën kufitare në Merdarë, aktualisht ndodhen në Shqipëri, pasi Gjykata e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Bëhet fjalë për pjesëtarin e Policisë së Shqipërisë, Aurel Kaziu, si dhe dy persona të tjerë, Ardit Laskën e Edmir Ahmagjokajn, të cilët dyshohen në lidhje me një shumë parash – rreth 1 milion euro, të cilat Policia dhe Dogana e Kosovës i gjetën të fshehura në një pjesë të fshehur në një furgon që po vinte nga Gjermania në Kosovë dhe që kishte destinacion Shqipërinë.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatët e të dyshuarve për të marrë më shumë informacione rreth vendndodhjes së të dyshuarve dhe procedurave gjyqësore.

Betim Shala, avokati i policit të Shqipërisë, Aurel Kaziu, ka konfirmuar se klienti i tij është larguar nga Kosova pasi është liruar me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Me aktvendim, lirimi ka qenë i pakushtëzuar, atij nuk i është konfiskuar asnjë dokument personal”- tha Shala për KALLXO.com.

Sipas tij, mbrojtja ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe ka kthyer në rishqyrtim kërkesën për masë sigurie ndaj Kaziut dhe të dyshuarve të tjerë.

Edhe avokati Fitim Bunjaku, i cili përfaqëson Edmir Ahmagjokajn, tha për KALLXO.com se klienti i tij aktualisht ndodhet në Shqipëri.

“Kjo për arsye se Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Departamentit Special për caktimin e masës së paraburgimit dhe tre të dyshuarit janë mbrojtur në liri. Sa i përket konfiskimit të dokumentit të udhëtimit, nuk jam në dijeni nëse i njëjti i është konfiskuar. Megjithatë, sipas informatave që posedoj, telefoni i klientit tim është konfiskuar”- tha avokati Bunjaku.

Ai shtoi se deri më tani, në cilësinë e mbrojtësit të Ahmagjokajt, nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë vendim nga Gjykata e shkallës së dytë.

“Përveç kësaj, jam informuar përmes portaleve se Gjykata e shkallës së dytë e ka kthyer lëndën në rivendosje”- shton ai tutje.

Ndërkohë, avokatja e Ardit Laskës, Adelina Imeri-Hasani, konfirmoi për KALLXO.com se klienti i saj ndodhet në Shqipëri, në vendin ku jeton.

“Dokumentet janë konfiskuar”- tha shkurt avokatja Imeri-Hasani.

Avokatët kanë bërë të ditur se në rast se Gjykata merr vendime të reja në lidhje me këtë rast, klientët e tyre do të udhëzohen që t’i respektojnë ato.

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e e Gjykatës Themelore dhe e ka kthyer në rivendosje procesin për paraburgim në rastin e tre shtetasve të Shqipërisë, të cilëve u janë gjetur 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni në Merdarë, në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Lënda është kthyer sërish në Gjykatën Themelore që të vendoset edhe një herë rreth kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Më 27.02.2026, Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim për t’ia refuzuar Prokurorisë Speciale kërkesën që t’i dërgojë në paraburgim për një muaj tre të dyshuarit e këtij rasti me arsyetimin se nuk është prezantuar asnjë provë se ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale.

Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, pjesëtar i Policisë së Shqipërisë, dhe Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj. Tre të dyshuarit janë shtetas të Shqipërisë. Kjo shumë parash është zbuluar nga doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës në një furgon që po hynte nga Serbia në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdarë më 24.02.2026.

“Anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L dhe çështja kthehet në rivendosje”- thuhet në komunikatën e Gjykatës të Apelit më 06.03.2026.

Sipas Gjykatës së Apelit, vendimi i Gjykatës Themelore është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e shkelje që lidhen me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale.

Sipas Apelit, Themelorja nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i bazuar.

Tutje në njoftimin e Apelit thuhet se Themelorja me vendimin e saj të paqartë dhe në disa pjesë kontradiktor, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi çfarë baze ka arritur në përfundimin se të pandehurit nuk kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga PSRK.

“Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Po ashtu, arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor. Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë”- thuhet në njoftimin e Apelit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 25.02.2026 kishte paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

PSRK në këtë rast përfaqësohet nga prokurorja Shenaj Berisha. Kurse gjyqtar në procedurën paraprake është gjyqtari i Departamentit Special, Leon Përlaska.

Lidhur me këtë vendim ka dalë me reagim edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila tha se e mirëpresin këtë vendim të Gjykatës së Apelit me të cilin rasti është kthyer në rivendosje.

Çka kishte vendosur Gjykata Themelore rreth kërkesës për paraburgim të PSRK-së?

Pas pranimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata kishte mbajtur më 26.02.2026 seancën dëgjimore në rastin e tre të dyshuarve.

Gjykata pas mbajtjes së seancës dëgjimore, më 27.02.2026 kishte marrë vendim duke refuzuar kërkesën e PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të tre të dyshuarit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Në vendim të Gjykatës thuhej se në kërkesën e PSRK-së, në përmbajtjen e saj, vetëm në një fjali të shkurtër përmendet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, mirëpo në kërkesë nuk është përmendur ndonjë provë sado sipërfaqësore në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj se ekziston dyshimi i bazuar.

Më tej në vendim të Gjykatës thuhej se kërkesës së PSRK-së nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, siç mund të jenë procesverbali i kontrollit të automjetit dhe vërtetimi për konfiskim të mjeteve monetare, prova të cilat e vërtetojnë aspektin objektiv të kësaj vepre penale.

Në vendim thuhej se kërkesës së PSRK-së nuk i është bashkangjitur e as përmendur çfarëdo prove që mbështet dyshimin apo jep indikacione sado të vogla për përmbushjen e dyshimit të bazuar sa i përket elementit subjektiv të veprës penale për të cilën të pandehurit dyshohen.

Në vendim me tej thuhej se kërkesës për caktimin e paraburgimit i janë bashkëngjitur kallëzimi penal i përpiluar nga Dogana e Kosovës, dhe i cili në përmbajtjen e tij nuk ka referencë në ndonjë provë.

Më tej Gjykata kishte bërë të ditur se kërkesës së PSRK-së gjithashtu i ishte bashkëngjitur një raport nga Dogana e Kosovës, i cili po ashtu nuk ka të bashkëngjitur e as të përmendur ndonjë provë, por vetëm përshkruan se si ka ndodhur ngjarja.

“Janë bashkëngjitur deklaratat e të dyshuarve të dhëna para hetuesve doganorë, në të cilat deklarata e mohon në tërësi veprën penale dhe mohon të kenë pasur njohuri për paratë që janë gjetur në automjetin e tyre, si dhe janë bashkëngjitur disa fotografi të mjeteve monetare në qese najloni, pa ndonjë listë të specifikuar të numrave serikë të kartëmonedhave” – thuhej në vendim të Gjykatës.

Sipas Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë nuk është e mbështetur në asnjë provë që vërteton dyshimin e bazuar.

“Duke u gjendur në këtë situatë, gjykata është detyruar të zbatojë nenin 163 par. 3 të KPPRK-se ku thuhet: “Nëse prokurori i shtetit në kërkesën për caktimin e paraburgimit nuk arrin të vërtetojë dyshimin e bazuar se personi i arrestuar ka kryer veprën e dyshuar penale, gjyqtari i procedurës paraprake e liron të pandehurin”, pra kjo dispozitë ligjore nuk lejon mundësi tjetër, as caktimin e ndonjë mase më të butë, por në mënyrë decidive kërkon lirimin e të pandehurit” – thuhej në vendim.