Administrata amerikane ka thënë për T7 se marrëveshja e Washingtonit është një zotim që detyrimisht duhet të respektohet, pasi administrata Biden e ka studiuar me kujdes të tërën.
Për marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë nga Avdullah Hoti e Aleksandër Vuçiq, kryeministri i tanishëm gjithmonë shprehi rezervat e tij.
Kjo marrëveshje siç shkruante Albin Kurti vetëm pak ditë pas nënshkrimit, do duhej të shikohej nga poshtë, meqë siç vlerësonte ai, e vetmja pikë e vlefshme është vendosja e raporteve dhe njohja reciproke me Izraelin.
Madje, Kurti thoshte se “nëse ai do ta rimarrë sërish udhëheqjen e qeverisë, nuk do të jetë i obliguar ta zbatojë marrëveshjen e Washingtonit”.
E këtë qëndrim ndaj marrëveshjes së Washingtonit, po vazhdon ta mbajë edhe tani kur i njëjti po udhëheq me ekzekutivin.
Nga Qeveria Kurti vlerësojnë se marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike.
Kjo deklaratë e zëdhënësit të Qeverisë nxiti reagime.
Opozita e konsideroi veprim të rrezikshëm që mund të armiqësoj mardhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së.
Ndërkohë, marrëveshjen e Washingtonit dhe çdo marrëveshje tjetër të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, Administrata Biden kërkon që palët ta zbatojnë.
Në një përgjigje me e-mail përmes ambasadës amerikane kanë thënë për T7 se kjo marrëveshje është një zotim që detyrimisht duhet të respektohet, pasi administrata Biden e ka studiuar me kujdes të tërën.
“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet që janë bërë më herët. Për shembull, administrata e Biden e studioi me kujdes marrëveshjen e Uashingtonit që Z. Vuçiq dhe Hoti arritën në Shtëpinë e Bardhë dhe erdhën në përfundimin se këto janë gjëra që duam t’i shohim tek palët, të vazhdojnë të ecin përpara – të rrisin tregtin, të rrishin investimet, të rritet përpjekja për të luftuar terrorizmin etj”, thuhet në përgjigjen e administratës amerikane.
Marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator të 2020-ës mes Kryeministrit të atëhershëm të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, përmban 16 pika.
E njëjta u nënshkrua në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

















