Një seancë gjyqësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dënuar me burg një ish-mësuese anglishteje në një shkollë të mesme në Utah, për abuzim seksual me 3 nxënës të saj.
Sipas prokurorisë një nga djemtë ishte 16 vjeç dhe dy të tjerët nga 17 vjeç, kur Brianne Altice ka pasur marrëdhënie seksuale me ta. 36-vjeçarja ka qenë arrestuar edhe në tetor të 2013-s, por më pas ishte liruar pasi pagoi garancinë.
Edhe pas humbjes së punës dhe ndarjes me bashkëshortin, Altice ka vazhduar marrëdhëniet me një nxënës 17-vjeçar dhe për këtë u arrestua sërish në muajin janar. Ndërkohë në prill, ajo u shpall fajtore për tri akuza për abuzim seksual me dhunë, ndërsa të enjten, një gjykatë në Utah e dënoi atë me të paktën dy deri në 30 vjet burg.
Altice muajin e kaluar i ka dërguar një letër gjyqtarit, Thomas Key, duke i kërkuar që mos ta fusë në burg dhe i premtonte se nuk do përsëriste më krimin. Ndërsa, gjyqtari të enjten tha se ajo ka nevojë për një ndryshim në jetë, dhe beson se ky ndryshim do të vijë gjatë kohës në burg.
Në seancën e dhënies së dënimit, me lot në sy, ajo i kërkoi falje viktimave. Ndërsa nëna e një 16-vjeçari tha: “Ju e lënduat djalin tim. Ju i lënduat të gjithë ata djem”