Abrashi: Reflektim pres nga AAK dhe Nisma, VV si ISIS

E publikuar: 03/12/2015 00:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit dhe mesazhet që dha ai sot, janë komentuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në Interaktiv të KTV-së.

Në gjithë vendet ku sot është ndalur Kerry, ka pasur takime multilaterale dhe vetëm në Kosovë ka qenë bilateral, sipas Abrashit, duke shtuar se takimi ka pasur të zgjasë më pak, por takimet janë zgjatur dhe ai nuk e ka ndërprerë.

Sipas Abrashit, fjalët e sekretarit Kerry për Marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi kanë treguar përfundimisht se Qeveria e Kosovës ka pasur mbështetje nga ShBA-të, transmeton Koha.net.

“Kjo po shihet si rrugë e duhur edhe nga ShBA-të, dhe normalisht se nuk ka rrugëdalje tjetër. Ne kemi marrë një mbështetje të madhe, që na ka dhënë kurajë, për të vazhduar punën si Qeveri”, tha Abrashi.

Kuvendi është vend i shenjtë dhe tempull i demokracisë, ishin fjalët e Kerryt sipas Abrashit, duke shtuar se dialogu duhet të ndodhë në Kuvendin e Kosovës, në të cilin do të përballen argumentet.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se duhet të reflektojë opozita pas fjalëve të sekretarit Kerry. Ai tha se veprimi i gjuajtjes me vezë dhe xhirimi i tyre për të të poshtëruar, ngjajnë me veprimet e ISIS-it.

“Pres reflektim më shumë nga AAK-ja dhe Nisma sepse kanë marrë pjesë në shtetndërtim, kurse nga VV nuk pres shumë reflektim”, tha Abrashi në lidhje me reflektimin e opozitës pas deklaratave të Kerryt.

Ndërsa pë fjalët e Kerryt për luftimin e korrupsionit, Abrashi tha se duhet të ketë stabilitet politik për të garantuar shtet ligjor më të fuqishëm.

“Ne do t’i bëjmë të gjitha parakushtet që gjyqtarët të luftojnë korrupsionin”, tha Abrashi.

Kurse lavdërimi i Kosovës nga Kerry për luftimin e terrorizmit, është konsideruar si storje suksesi.