Abdullahu: Kalkulimet politike për demarkacionin janë tejet të pamoralshme

E publikuar: 26/02/2018 19:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, konsideron se çështja e ratifikimit të Demarkacionit nuk i shkakton Kosovës humbje të territorit. Abdullahu thotë se LDK ka bërë veprim të duhur sa i përket arritjes së një konsensusi për ta votuar Marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Vlen të potencohet se komisioni shtetëror i Murat Mehës ka pasur më shumë punë me vetë faktin se është angazhuar për një periudhë më të gjatë kohore. Megjithatë, nuk ka pasur edhe më shumë presione politike siç ka pasur komisioni tjetër. E kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme si Qeveri Mustafa se Kosova nuk humbet tokë me këtë marrëveshje”, tha Abdullahu në Info Magazine të Klan Kosovës

”Kam frikë se nëse kjo marrëveshje shkon siç është, mund të kthehet në një problem politik. Krejt kjo s’ka të bëjë me ekspertë, ka të bëjë me kalkulimet politike që janë bërë nga më të pamoralshmet. Parimisht nuk besoj se Kosova humb tokë. Aq sa kam analizuar me të gjitha, e kam parë se Kosova nuk po humb tokë, me marrëveshjen e komisionit të Murat Mehës e po ashtu edhe me këtë tjetrën e cila do të votohet të mërkurën. Kjo ka të bëjë ekskluzivisht në diçka që është krejtësisht alibi”, theksoi ai./GazetaExpress/