Lideri i burgosur i rebelëve kurdë, Abdullah Ocalan, pritet të njoftojë detajet e një plani për vendosjen e paqes me Turqinë.
Plani do të lexohet nga disa politikanë pro-kurdë që e vizituan atë në burg.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e udhëhequr nga Abdullah Ocalan, zhvillon prej 30 vitesh luftë për pavarësinë e rajonit me shumicë kurde.
Një armëpushim u arrit mes palëve në vitin 2013 dhe së fundmi janë rritur shpresat për një përfundim të përhershëm të konfliktit.
Mbi 40 mijë persona, shumica e të cilëve kurdë, kanë humbur jetën në luftimet për një shtet kurd në juglindje të Turqisë.
Abdullah Ocalan ndodhet në burg që prej vitit 1999, duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm për tradhti.
Përmbajtja e planit të tij nuk është publikuar ende, por Sirri Sureyya Onder, një nga politikanët që e vizitoi liderin në qeli bëri publike disa ide mbi përmbajtjen e tij.
“Do të jetë një hartë udhëzimesh për kombin dhe rajonin, me detaje në teori dhe në praktikë në favor të procesit të paqes”, tha Sureyya për agjencinë e lajmeve “AFP”, shkruan gazeta “Zëri”.
Deklarata do të lexohet në Dijarbakir, qyteti më i madh me shumicë kurde në lindje të Turqisë. Muajin e kaluar Ocalan bëri një tjetër deklaratë përmes të cilës u bëri thirrje mbështetësve të tij që të merrnin pjesë në një konferencë për dhënien fund të luftimeve.
Megjithatë, pengesat mbeten. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i acaroi jo pak kurdët kur tha se, vendi nuk kishte pasur kurrë probleme me ta.
Nga ana tjetër, më vonë gjatë vitit në Turqi do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe analistët vlerësojnë se komentet e Erdogan-it ishin një përpjekje e tij për të siguruar mbështetjen e nacionalistëve./ZËRI/