Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka zhvilluar takime në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ku u prit nga Senatori Christopher Murphy dhe ekipi i tij politik.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook tha se në këto takime biseduan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon.
Ai shtoi se në Senat ka shtruar kërkesën e tyre për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’.
“Si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Senatori Murphy ka qenë dhe mbetet gjithherë aktiv në rajonin tonë. Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspirstave tona për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik.
Mbështetja e Senatit dhe Sentorëve nga të gjitha anët, ka prodhuar gjithherë momente historike për vendin tonë. Këtë mbështetje për shtetin tonë vazhdojmë ta kërkojmë në çdo kohë”.