Abdixhiku: VV le ta gjejë një kandidat konsensual, ne s’jemi në tavolinën e diskutimeve, por ka parti që mund ta votojnë

E publikuar: 23/04/2025 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e parë duhet të ketë një kandidat konsensual për kryetar të Kuvendit.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk do të votojë kandidatë të VV-së, por potencoi se ka parti kanë shprehur gatishmëri për këtë.

Abdixhiku ka thënë se në rast se ka mungesë të një marrëveshjeje politike, seanca e sotme e Kuvendit prapë do të jetë e kotë.

“Jemi të qartë për qëndrimet tona. Partia e parë duhet të ofrojë në kandidat që përfaqëson denjësisht Kuvendin e Kosovës, një kandidat konsesual. Ne nuk kemi kandidat konsensual sepse nuk jemi në tavolinën e diskutimeve. Por ka parti tjera që kanë gatishmëri. Le të gjejnë një gjuhë sepse politika është kompromis”, tha ai para mediave.

Kryetari i LDK-së u shpreh gjithashtu i habitur me qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai theksoi se politikës nuk i takon gjuha e shantazhit, por arti i diskutimit.

“Po t’i kisha unë 48 deputetë, do ta bëja edhe Kuvendin edhe Qeverinë, por pa sharje dhe shantazhe. Politika është art i diskutimit”, deklaroi ai.