Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ftesës së kryeministrit Albin Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht vetëm pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar ai, pasi Kurti gjatë ditës bëri të ditur se do t’i ftojë sërish sot me një takim i cili planifikohej sipas tij të ndodhte në fillim javës së ardhshme.

















