Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se po punohet në nismën Rruga e Re, që siç ka kthënë ai, është alternativë për zhvillim në çdo sektor.
Pas një takimi me strukturat e partisë të mërkurën, Abdixhiku ka shkruar në Facebook se nuk kanë kohë të humbasin, e është koha për ide e projekte konkrete.
“Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashtë saj. Urrejtja e populizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq”, ka shkruar kreu i LDK-së, njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës.
Rruga e Re, sipas Abdixhikut, po formësohet, derisa ka shtuar se përmban 30 kapituj, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë.
“Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit”, është shprehur ai.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid026yX6pEzKwNhxasVK1M9TnDDiuzSPXu9jnBi3rEicFUDV3Zd9C2XfQaeGtHvGnBq3l&id=505267758&mibextid=Nif5oz