Abdixhiku refuzon Kurtin: Mes “hajvanatit”, nuk e gjejmë veten as për konsultim

E publikuar: 08/04/2025 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

(E plotësuar) Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e Albin Kurtit për një takim konsultativ në kuadër të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re. Në një letër publike drejtuar qytetarëve, Abdixhiku theksoi se për LDK-në fjala është zotim dhe se nuk mund të ketë bashkëpunim pas një fushate të gjatë ofendimesh dhe sulmesh ndaj partisë së tij, raporton Ekonomia Online.

“Një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik,” u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se LDK i qëndron besnike fjalëve dhe vendimeve të dhëna.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, ka shkruar Abdixhiku.

18:09 – LDK thërret mbledhje të jashtëzakonshme, pas ftesës së Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë, pas ftesës së dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për konsultime rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

Teksa ka hyrë në seli, deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë para gazetarëve se “për pak minuta, Abdixhiku do të ketë një përgjigje”.

”Letra i është adresuar kryetarit të LDK-së, Abdixhikut. Për pak minuta, Abdixhiku do të ketë një përgjigje” ka thënë ai.

Në letrën zyrtare, Kurti i ka propozuar Abdixhikut dy termine për takim – më 9 prill në orën 15:00, si dhe më 10 prill në orën 09:00 ose 14:00 – me qëllim të arritjes së një koordinimi për hapat e mëtejmë institucionalë.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ndërkohë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 15 prill, duke e vendosur kështu një afat të qartë për partitë politike që të arrijnë marrëveshje paraprake për funksionalizimin e institucioneve të reja.

Pritet që nga mbledhja e Kryesisë së LDK-së të dalin qëndrime konkrete lidhur me qëndrimin e saj ndaj kësaj ftese dhe rolin që ajo do të luajë në negociatat e ardhshme për qeverisje.