
Lumir Abdixhiku-FB
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, pas një interviste të dhënë për KosovaPress, duke thënë se ka “mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë” dhe “zell” për ta sulmuar atë dhe LDK-në, raporton KosovaPress.
Një javë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po kritikohet nga ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa. Sipas kryetarit të nderit të LDK-së, po të lexohej zëri i qytetarëve në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku nuk do të duhej të qëndronte në krye të partisë. Ai thotë se angazhimi i Abdixhikut në krye të LDK-së, nuk ka sjellë rezultate, pasi në zgjedhjet e fundit mori vetëm 13 për qind të votave.
Lumir Abdixhiku ka shkruar nw Facebook se në parti po tentohet të krijohet “zi e terr për gjithçka në LDK”, ndërsa, sipas tij, ka “lëvdata për secilin kundërshtar” të saj.
Ai ka deklaruar se kjo ndodh “kur prapaskena mbetet pa rol” dhe kur “anëtarësia… e mbyll kapitullin”, duke theksuar se vendimi i anëtarësisë është i rëndë për ata që janë mësuar “ta injorojnë e ta mbysin” atë.
Duke folur për Kuvendin e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se ai ishte “shkëputje e qartë” nga një kohë që, sipas tij, kërkonte “kontroll pa parim”, drejt një kohe që kërkon “rimëkëmbje dhe përgjegjësi”.
“Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj. Kjo ndodh gjithmonë kur praapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin. Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht. Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund, ai ka theksuar se “rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat”, duke shtuar se kanë “punë më të mençura” përpara.
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të shtunën e kaluar ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.
Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut – Po, Jo.”
LDK, me këtë proces vendosi që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.


















