Lumir Abdixhiku-FB
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka prezantuar pesë stadiumet rajonale, që siç thotë ai i kanë prezantuar para investitorëve potenciale, si pjesë e programit politik të partisë që drejton.
Kreu i LDK-së thotë se stadiumet do të ndërtohen në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj, në kategori të UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet nga 6000 deri në 7000 mijë ulëse.
“Në këtë të diel të sportit, të futbollit ⚽️, më lejoni të ju flas për 5 stadiumet rajonale, që i kemi prezantuar si koncept ide tashmë para investitorëve potencial, pjesë e programit tonë politik tashmë të zotuar publikisht.
Në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse. Kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro; financim i Qeverisë Qendrore. Këto pesë stadiume rajonale, së bashku me Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, e Stadiumin e Ri Kombëtar me 30 mijë ulëse, do të kompletojnë mozaikun e peisazhit modern futbollistik në Republikën tonë – në të 7 regjionet tona”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
“Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha. Aso që e ngritë vendin tonë përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike ku jemi sot. Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor që na nxjerrë nga epiteti i ‘të fundit në Evropë’! Kosova ka nevojë për ndryshim dhe atë rrënjësor!”, shkroi Abdixhiku.