Abdixhiku për njehsorët elektrikë: Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi

E publikuar: 26/03/2026 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar lidhur me njehsorët elektrikë, ku të mërkurën në një konferencë për media nga kjo parti u prezantuan të gjeturat pas një hulumtimi e ku u tha se këta të fundit masin gabimisht energjinë elektrike.

Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se jjo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante.

“Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar”, ka thënë Abdixhiku.

Postimi i tij i plotë:

Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi.

Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë.

Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik.

Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar.

LDK kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale.