Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka njoftuar kryesinë e partisë për takimin e sotëm të liderëve opozitarë me kryeministrin Albin Kurti pas situatës së fundit të krijuar në vend.
Kjo parti thotë se në këtë mbledhje është ripërsëritur nevoja për koordinim të ngushtë me aleatët tanë.
“Siç dhe jeni njoftuar, LDK-ja mbështet ushtrimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit si dhe koordimin e plotë me aleatët tanë, ShBA-të dhe BE-në. LDK beson se koordinimi i ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë është zgjidhja e vetme për situatën aktuale; Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve që kanë për qëllim destabilizimin e vendit e që mund të ketë pasoja të pariparueshme; ndërsa institucionet e Kosovës duhet të punojnë ngushtë me aleatët tanë dhe të sigurojnë paqe e stabilitet në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së, njofton Klankosova.tv.
Shefi i qeverisë, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, pas ftesës që iu bëri tre liderëve opozitarë sot i ka pritur në takim ku është diksutuar për zhvillimet e fundit në vend, sidomos në veri të vendit.