
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku
Konstruktiv dhe përmbajtësor e quajti kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku takimin mbi dyorësh me kryeministrin Albin Kurti.
Kryetari i LDK-së tha para mediave se për zgjedhjen e presidentit nevojitet marrëveshje klasike mes partive ose konsensus rreth një emri për të parin e vendit.
“Ishte një takim ndërpartiak që diskuton çështjen e ardhshme të zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Jo vetëm. Folëm për të gjitha: politikën e jashtme të Kosovës, çështjen e sigurisë… Janë më pak se nëntë ditë për zgjedhjen e presidentit. Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara: duhet ose konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditë e ardhshme ose duhet një marrëveshje klasike politike, mes partive dhe në të dyja rastet duhet së paku 2/3 e votave të deputetëve. Mbetëm të takohemi në ditët në vijim për të shikuar njërën prej këtyre dy mundësive që kemi përpara”, tha ai.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk do të përfshihet në qeveri.
“Marrëveshje politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit. Në këtë fazë nuk besoj se kemi interes, as nuk ka interes në atë drejtim, gjithçka është e hapur brenda marrëveshjes politike edhe konsensusi është i natyrshëm”, shtoi ai.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.



















