Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ai, përpjekjeve për ndikim nga jashtë në LDK.
Përmes një statusi, Abdixhiku ka thënë se individë që ai i cilëson si “mercenarë” janë vetëekspozuar, duke shpalosur, sipas tij, mënyrën se si e shohin politikën dhe shoqërinë.
Sipas Abdixhikut, këta zëra e shohin politikën të lidhur ngushtë me krimin, frikën dhe pazaret, sepse, siç shprehet ai, vetë veprojnë brenda këtij botëkuptimi.
Ai ka deklaruar se” mendimi se gjithçka blihet e shitet është reflektim i mentalitetit të atyre që jetojnë nga ndikimi dhe presioni”.
“Po, do ta mbrojë LDK-në dhe secilin anëtarë tonin nga sulmet e paguara nga jashtë. Edhe po të jem i vetëm. Mercenarët do të vazhdojnë të ulërasin për LDK-në. Duket se nuk u mjafton partia e tyre. Duan edhe një tjetër ku t’i shtrijnë thonjtë e ndikimit. Nuk ka gjasë. Anëtarësia e LDK-së ka tjetër vizion. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara. Sepse zhurma paguhet, por e vërteta jo. Dhe pikërisht për këtë, e vërteta fiton gjithmonë”, ka shtuar ai.

















