Kandidatët për kryetarë komunash të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me kryesinë e kësaj partie, deputetë dhe ekipin qendror të saj, zhvilluan një punëtori përgatitore në Istog, për zgjedhjet e 12 tetorit.
Lajmin e bëri të ditur i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social, Facebook. Gjatë takimit ata kanë diskutuar për strategjinë, organizimin dhe mesazhin e tyre për qytetarët, dhe, për programin e tyre.
Abdixhiku ka thënë edhe se, 12 tetori s’është vetëm datë zgjedhjesh por edhe një moment i madh për të vendosur se ‘’çfarë duam nga komunat tona në katër vitet e ardhshme’’.
“12 tetori nuk është thjesht një datë zgjedhjesh; është një moment i madh për të vendosur se çfarë duam për komunat tona në katër vitet e ardhshme. Nga Istogu te Gjilani, nga Peja te Prishtina, çdo qytet ka historinë, sfidat dhe mundësitë e veta. Sot, diskutuam për secilën prej tyre, duke hartuar plane konkrete që prekin jetën e njerëzve tanë – nga ndërtimi i infrastrukturës, investimet në shkolla e spitale, gjelbërimi i hapësirave publike, deri te mbështetja për bizneset dhe punësimi i të rinjve”, shkroi Abdixhiku ndër tjerash.
v

















