Abdixhiku letër Ursula von der Leyen, kërkon largimin e masave të BE-së për Kosovën

E publikuar: 16/12/2025 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dërguar letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian  Ursula von der Leyen përmes së cilës ka kërkuar largim të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.

Komunikata:

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.

LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.

Masat e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit.

Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja.

Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.

Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian!

Në vijim letra e kryetarit dhe kandidatit për kryeministër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Lumir Abdixhiku drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen.