Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi mësimdhënësve nuk u janë proceduar pagat për shkak të grevës.
Përmes një shënimi në Facebook, Abdixhiku thotë se në vend të qetësimit e përafrimit, Kurti po kërkon tension.
“Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël”.
I pari i LDK-së thotë se në prag të krizave të rënda që e presin vendit, Kurti vendosi t’i tregoj “dhëmbët” për mësimdhënësit.
“Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.
Sipas Abdixhikut, mashtrimi popullist s’duket ndryshe.
“Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave”.
Opozitari thotë se mësimdhënësve pagat do t’u paguhen – herët apo vonë.
“Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së”.
Ai thotë se do të bëjnë çdo përpjekje të mundshme, për të detyruar Qeverinë të ekzekutojë pagesat.