Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes, duke thënë se ky i fundit dha gjithçka për Kosovën, dhe se idealet e tij mbeten të gjalla për ndërtimin e së ardhmes.
“Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit”, ka shkruar Abdixhiku.
Positmi i tij:
26 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë.
Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë.
Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare.
Me familjen Maloku – me Doruntinën dhe Drinin dhe me bashkëpunëtorë të Lidhjes, sot u mblodhëm përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së, aty ku qëndrojnë emrat e atyre që ndërtuan themelet e Kosovës, për ta kujtuar dhe nderuar veprën dhe trashëgiminë e tij të pashlyeshme në lëvizjen kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci.
Sot kujtojmë jo vetëm njeriun që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten të gjalla për të na udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes.
Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit.
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!