Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti sonte tubim zgjedhor në Rahovec, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës Burim Krasniqin.
“Rahoveci nuk është vetëm një komunë. Rahoveci është zemra e bujqësisë së Kosovës, është djepi i punës dhe i mundit, është simbol i verës sonë, i tokës sonë, i identitetit tonë. Dhe kur Rahoveci ngrihet, ngrihet gjithë Kosova. Rahoveci ka vuajtur shumë nga qeverisjet e kaluara. Për vite të tëra ky qytet ka mbetur i harruar, i anashkaluar, i lënë mënjanë nga ata që erdhën e shkuan në pushtet pa lënë gjurmë. Qytetarët e Rahovecit nuk morën kujdesin që e merituan. Fermerët e Rahovecit nuk morën mbështetjen që e duhej. Vera e Rahovecit nuk mori tregun që i takon. Rinia e Rahovecit nuk mori mundësitë që i meriton. Për vite me radhë, Rahoveci është lënë në duart e paaftësisë, në duart e propagandës, në duart e qeverisjeve që e shfrytëzuan qytetin për votë, por kurrë nuk punuan për të. Kjo është e vërteta e hidhur e Rahovecit. Dhe prandaj sonte, në këtë tubim të madh, ne e themi hapur: koha e dështimeve ka mbaruar. Koha e premtimeve boshe ka përfunduar. Koha e mashtrimeve politike ka marrë fund. Ka ardhur koha e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka ardhur koha e qeverisjes sonë. Ka ardhur koha e Burim Krasniqit”, tha Abdixhiku.
Ai premtoi mbështetje të drejtë për bujqësinë, investime në infrastrukturë, arsim e shëndetësi më cilësore, si dhe mundësi punësimi për të rinjtë.
“Burim Krasniqi është kandidati ynë. Është kandidati i Lidhjes Demokratike. Është njeriu i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit. Ai nuk është larg qytetarëve, ai është në mesin e tyre, në fshatrat dhe lagjet e Rahovecit, pranë fermerit, pranë punëtorit, pranë çdo familjeje. Burimi është gjenerata e re e qeverisjes së përgjegjshme. Është njeriu që njeh çdo problem të këtij qyteti, sepse i ka parë dhe i ka jetuar bashkë me qytetarët. Është njeriu që sjell zgjidhje, jo vetëm fjalë. Është kandidati që Rahoveci e meriton.
Me Burim Krasniqin, Rahoveci do të ketë kryetarin që nuk i mbyll sytë para problemeve, por i përballon ato. Do të ketë kryetarin që nuk ikën nga përgjegjësia, por e merr mbi vete. Do të ketë kryetarin që nuk premton me fjalë boshe, por zbaton me punë konkrete.
Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i LDK-së. Ky është dallimi i Burim Krasniqit. Rahoveci meriton më shumë. Dhe LDK-ja do ta sjellë këtë më shumë. Do të sjellë mbështetje për bujqësinë – sepse Rahoveci është kryeqyteti i vreshtave, i verës, i tokës pjellore. Do të ketë subvencione të drejta, jo të ndara me parti e me interesa. Do të ketë investime në teknologji bujqësore, që fermeri i Rahovecit të prodhojë më shumë dhe të shesë më shumë. Do të ketë qasje në tregje të reja, që vera e Rahovecit të njihet kudo, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Europë. Ky është premtimi ynë, ky është programi ynë, kjo është zgjidhja që sjell LDK-ja me Burim Krasniqin”, tha kryetari i LDK-së.
Abdixhiku më tej tha se Rahoveci meriton më shumë në infrastrukturë, duke shtuar se qeverisjet e kaluara e lanë qytetin pa rrugë të mira, pa kanalizime të rregullta, pa ujësjellës të qëndrueshëm.
“Me LDK-në dhe me Burim Krasniqin, rrugët e Rahovecit do të ndërtohen dhe rregullohen me standarde moderne. Fshatrat e Rahovecit nuk do të jenë më të harruara. Qyteti do të lidhet me çdo cep të Kosovës, sepse Rahoveci nuk mund të rritet i izoluar. Rahoveci rritet kur lidhet. Rahoveci meriton më shumë në arsim dhe shëndetësi. Me LDK-në, shkollat e Rahovecit do të jenë më moderne, më të pajisura, me mësim tërëditor si në Prishtinë, sepse edhe fëmijët e Rahovecit meritojnë të njëjtin kujdes. Me LDK-në, qendrat shëndetësore të Rahovecit do të kenë mjekë, do të kenë pajisje, do të kenë ilaçe. Nuk do të lejohet që qytetarët e këtij vendi të enden nëpër qytete tjera për një shërbim bazik. Shëndetësia do të jetë këtu, afër njerëzve, tha ai.
Abdixhiku theksoi se Rahoveci meriton më shumë në punësim dhe ekonomi lokale.
“Qeverisjet e kaluara e lanë rininë e Rahovecit pa perspektivë. Të rinjtë e qytetit u detyruan të ikin jashtë, të kërkojnë të ardhmen larg. Me LDK-në, me Burim Krasniqin, do të ketë investime në biznese të vogla e të mesme, do të ketë hapësira për inovacion, do të ketë mbështetje për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Sepse ky është vizioni ynë: të krijojmë kushte që rinia të qëndrojë, të jetojë e të zhvillohet në vendin e vet.
E dimë që rruga nuk është e lehtë. E dimë që përballë kemi propagandë, kemi sabotim, kemi pengesa. Por e dimë edhe një gjë tjetër: Rahoveci është më i fortë se propaganda. Rahoveci është më i fortë se dështimet. Rahoveci është më i fortë se e kaluara. Sepse Rahoveci ka njerëz të ndershëm, ka punëtorë të palodhur, ka fermerë të guximshëm, ka rini të mençur. Dhe kur këta njerëz bashkohen me LDK-në, me programin tonë, me Burim Krasniqin, atëherë asgjë nuk e ndal fitoren”, shtoi Abdixhiku.



















