Abdixhiku kërkon dorëheqjen e qeverisë, thotë se Kosova po izolohet

E publikuar: 08/01/2018 18:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku duke komentuar refuzimin e vizës që iu bë kryeministrit Haradinaj, tha se një gjendje të tillë as që e kishte menduar.

Në një postim në facebook ai ka shkruar se Kosova po rrëshqet nga partneriteti me partnerin më të madh të Kosovës, Amerikën.

“Dhe kështu, në 10 vjetorin e pavarësisë, Kryeministrit të Kosovës i refuzohet viza për në Amerikë. Një relacion siç se kishim menduar ndonjëherë – Republika në rënie të lirë. Kosova gradualisht po rrëshqet nga lidhja e vetme politike që e mbanë atë shtet; nga e vetmja forcë që i jep garancë të sigurisë. Nga një relacion ekzistencial partneriteti me SHBA-në, këta e sollën vendin në relacion refuzimi. 20 vite më parë liderët e Kosovës kishin lidhje e trajtim shumë më të avancuar perëndimorë se që kanë këta sot. Sot, pak udhëheqës në botë, marrin refuzim të tillë”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.

Ai ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, duke shtuar se këta të fundit po e izolojnë vendin.

“Izolimi i Kosovës ka nisur tashmë. As takime të niveleve të ulëta s’mund të bëjnë më. E gjitha për interesa të ngushta të një grushti njerëzve në pushtet. Prandaj dorëheqja e kësja qeverie është domosdoshmëri tani. Këta s’janë të aftë për shtet”, përfundon statusi i Abdixhikut.

Sot edhe zyrtarisht nga zyrtarë të Ioëas u konfirmua se Haradinajt i ishte refuzuar viza nga Amerika. /Lajmi.net/