Lumir Abdixhiku
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot duhet të zgjohet çdo institucion shtetëror pas dhunës së ushtruar ndaj të moshuarës në Pejë nga një infermiere.
Ai tha se është shokuar nga pamjet që u publikuan, derisa tha se dhuna është problemi shoqëror.
“I shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar. Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune. Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë kosovare.
“Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”.
Për këtë rast Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar dy gra, derisa hetimet janë duke vazhduar.