Abdixhiku emëron në pozita partiake Ilir Feratin, Sokol Halitin dhe Visar Azemin

E publikuar: 01/04/2026 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka emëruar në pozita partiake Ilir Feratin, Sokol Halitin dhe Visar Azemin.

Ilir Ferati do të jetë sekretar i përgjithshëm i LDK-së, Sokol Haliti sekretar për Mërgatë të LDK-së, ndërsa Visar Azemi sekretarit organizativ në këtë parti.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Në vijim të autorizimeve të marra nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në përputhje me orientimet e përcaktuara në Deklaratën Politike të miratuar nga Kuvendi i fundit i LDK-së, kam marrë vendim për emërimet në disa pozita të rëndësishme organizative të partisë. Në këtë kuadër,

– Ilir Ferati emërohet në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përgjegjësi për drejtimin dhe koordinimin e aparatit institucional dhe administrativ të partisë, si dhe për sigurimin e zbatimit të rregullt të vendimeve të organeve drejtuese të saj.

– Sokol Haliti emërohet në detyrën e Sekretarit për Mërgatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përgjegjësi për forcimin e lidhjes së partisë me mërgatën tonë, organizimin dhe përfshirjen e saj aktive në jetën politike dhe zhvillimore të vendit.

– Visar Azemi emërohet në detyrën e Sekretarit Organizativ të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përgjegjësi për koordinimin e strukturave organizative të partisë dhe për forcimin e funksionimit të saj në të gjitha nivelet.

Këto emërime janë pjesë e fazës së konsolidimit organizativ dhe politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përputhje me orientimet të përcaktuara nga Kuvendi i fundit i partisë.

Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim për Imri Ahmetin, i cili deri në Kuvendin e fundit të LDK-së ka ushtruar me integritet dhe përkushtim detyrën e Sekretarit të partisë, duke dhënë një kontribut të çmuar në funksionimin institucional dhe organizativ të saj.

Së shpejti do të prezantoj edhe përbërjen e re të Kryesisë së LDK-së, si pjesë e procesit të riorganizimit dhe fuqizimit të mëtejshëm të strukturave drejtuese të partisë.