Lumir Abdixhiku
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova sot është në momente më të favorshme historike se sa Serbia.
Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka deklaruar se për Serbinë çdo destabilitet është mundësi për shtyrje të përballjes me Kosovën në një momentum të vështirë.
Duke e komentuar edhe situatën në veri të vendit ditëve të fundit, Abdixhiku ka theksuar se Kosova duhet të jetë në koordinim me perëndimin.
“Grupet kriminale të financuara e nxitura nga Beogradi po shtrijnë kontroll në territor tonin, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë sovranitet të plotë administrativ, ligjor, komunal e të sigurisë në atë pjesë. Kjo gjendje është si rrjedhojë e moskoordinimit të ngushtë me aleatë. Prandaj kthimi në koordinim është sot i paalternativë; siç është e paalternativë ulja me guxim në tavolinën dialoguese për të kërkuar një marrëveshje përfundimtare, jo të mesme e jo fillestare me Serbinë; por përmbyllje të çfarëdo pune me ta – si dy shtete të pavarura e sovrane”, ka thënë Abdixhiku për Klankosova.tv.
I pari i LDK-së e ka kritikuar Qeverinë Kurti për punën që ka bërë prej momentit që është në pushtet. Sipas tij, kjo Qeveri përfaqëson rastin më të rëndë të ndryshimeve të qëndrimeve.
“Ajo nuk ka mbajtur asnjë parim, rrjedhimisht qeveris pa parime. E qeverisja pa parime, përveç se është pa rezultat e kaotike, është edhe pa përgjegjësi ndaj zgjedhësve të vet”.
“Në përgjithësi, kjo qeveri ka shkaktuar përplasje e polarizim me secilin aktor në Kosovë. Ka shkaktuar përplasje me sektorin privat, duke i quajtur në bllok pjesë të një mafie, me mësimdhënësit, duke i quajtur analfabetë, me mediat, duke i portretizuar si shërbëtorë të kapjes e me vetë spektrin politik në vend. Për fatin tonë të keq, kjo qeveri këtë stil përplasës e ka reflektuar dhe me jashtë; me aleatët tanë tradicionalë. Është e padurueshme se si me kaq shumë lehtësi iu dhurojmë kundërshtarëve tanë aleatët që na kanë qëndruar në momentet më të rënda historike”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se për të detyra si kryetar i këtij subjekti politik është nder jetësor, ai ka thënë se ndjehet mirë, pasi sipas tij, LDK-ja ka ecur para.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që bëmë hapat e duhur reformistë për t’i dhënë kthimin e madh frymës rugoviste e vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale. Ishte një test dhe burrat e gratë e LDK-së e kaluan me notë të shkëlqyeshme”, ka thënë Abdixhiku.
Ndër tjerash, ka pohuar se LDK-së i janë bashkuar shumë profesionistë.
“Ekipet tona po pasurohen – me njerëz të jashtëzakonshëm brenda e me të rinj e të reja që na bashkohen nga jashtë. Ky është një tregues i punës së mirë që po e bëjmë. Dhe do të vazhdojmë këtë rrugëtim. LDK-ja e ka të qartë rrugën përpara. I ka të qarta reformat substanciale që do t’i bëjë. Në këtë rrugëtim do të jem i pakompromis sepse këtë e kërkon anëtarësia jonë e qytetarët e vendit. Kam marrë këtë detyrë, për të bërë mu këtë dhe do ta bëj pa asnjë hezitim”,ka thënë Abdixhiku.
Intervista e plotë publikohet më 1 janar të vitit 2023./Klankosova.tv