Opinionisti Lumir Abdixhiku ka komentuar në Facebook rreth artikullit të botuar nga gazeta amerikane New York Times për ekstremizmin islamik në Kosovë, ku thuhet se Kosova është bërë tokë pjellore e grupit militant Shteti Islamik (ISIS).
Ai ka thënë se artikulli i prestigjiozes njujorkeze “hudhë përtoke gjithë pozitivitetin që ndërtuam kohëve të fundit”.
Sipas tij, “nuk është fare lehtë dalja për së keqi në ballinën e gazetës më të madhe në botë; aspak. Imazh i rëndë për tu përbirë, i kushtueshëm për shumë kohë. Do të na ndjekë gjatë”.
Në një shkrim në faqen e tij në rrjetin social, Abdixhiku ka thënë se “natyrisht se shumica kosovare nuk përkon as për së afërmi me përshkrimin e bërë aty”, raporton Gazeta Express.
Sipas Abdixhikut, “një shoqëri që jep Majlinda Kelmendin, Dua Lipan, Era Istrefin, filmin Shok, të rinj e të reja pro-perëndimorë më së shumti në rajon, s’mund të jetë “tokë e pjellshme e ISIS-it”.
Abdixhiku mendon se e vërteta është shumë ndryshe.
“Pa dashur të minimizoj rrezikun, e që është evident natyrisht, e vërteta megjithatë është shumë ndryshe. Jemi njollosur për shkak të një pakice. Për këtë e paçim meshnet'”, ka shkruar ai në Facebook.
“Tani na duhet shpejtë një ritëm i ri politik – që fenomenet e liga i lufton para se ato të marrin fytyrën botërisht. Që reagon në parandalimin e jo sanimin e pasojave. Kjo klasë politike e angazhuar në kapje e hajni, nuk ka kohë për t’u mërzitur me ekstremizëm, e as me pasojat që imazhet e tilla i japin gjeneratave të tjera”, thuhet në shkrimin e Abdixhikut në rrjetin social.



















