Abbott: S’është e drejtë të flitet kaq shumë për korrupsionin në fushatë, e pas saj të mos bëhet asgjë

E publikuar: 25/09/2019 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott ka folur për premtimet elektorale të politikanëve në lidhje me luftimin e korrupsionit.

Në tryezën e Grupit për Studime Politikë e Juridike me temë “Dështim apo neglizhencë: Zhvillimet e fundit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, Abbott ka thënë se i vjen mirë që luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë në programet e secilës parti, raporton Koha Ditore.

Megjithatë ka thënë se duhet të dallohen disa gjëra. “Theksoj se nuk është e drejtë të flitet kaq shumë për luftimin e korrupsionit para fushatës dhe pas fushatës të theksohet se pushteti ekzekutiv nuk ka kompetenca ligjore në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Luftimi e korrupsionit dhe sundimin e ligjit ai i ka lidhur me ndryshime në sistemin gjyqësor.

“Deri tani Kosova ka pranuar atë që i është servuar. Unë nuk dua ta bëj këtë. Por dua të theksoj atë që tashmë është e qartë për të gjithë: Kosova ka nevojë për reforma gjyqësore”, ka deklaruar ai.

Abbott ka lavdëruar Këshillin Prokurorial për ndryshimin e rregullores për përzgjedhjen e kryeprokurorëve ndërsa ka thënë se të njëjtin hap nuk e ka bërë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në paraqitjen e dytë në një tryezë publike që prej ardhjes Abbott ka thënë që sistemi i drejtësisë duhet t’i adresojë tri rekomandime kryesore.

E para sipas tij duhet të këtë efikasistet pasi që “Vonimi i drejtësisë është mohim i drejtësisë”, e dyta KGJK-ja dhe KPK-ja sipas tij duhet të reagojnë në rastet kur prokuroret e shtetit ose gjyqtarët linçohen publikisht nga politikanë të pushtetshëm dhe e treta sipas tij duhet të këtë rezultate konkrete të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar të profilit të lartë.