Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka folur për përgatitjet e listës zgjedhore të Aleancës, ku theksoi se udhëheqja e duhur është ajo me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Abazi tha se AAK-ja është në fazën përmbyllëse të finalizimit të listës zgjedhore, duke theksuar se synimi është që para qytetarëve të prezantohet ekipi më i përgatitur i mundshëm.
“Ne jemi në përfundim të përbërjes së listës. Sigurisht që jemi duke tentuar që para qytetarëve të dalim me listën më të mirë të mundshme, me përvojën e kandidatëve tanë. Natyrisht, edhe përfshirja gjinore është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe po mundohemi që kjo listë të përfaqësojë interesat e qytetarëve të vendit. Unë, natyrisht, kam qenë dhe do të vazhdoj të jem kontribuues brenda listës, por edhe në forumet e Aleancës, si dhe në bashkëbisedimin me mediat e qytetarët, sepse besoj fuqishëm në demokracinë e vendit, në atë që është themeli i funksionimit të familjes sonë dhe të shtetit. Besoj që do të jem brenda listës, por kjo është më pak e rëndësishme sesa cilësia e listës, e cila do të jetë një listë e prirë nga Haradinaj, i cili, siç u pa edhe nga deklaratat e Wesley Clark, edhe të James Rubin, e së fundmi edhe nga Isa Mustafa, që AAK-ja, zoti Haradinaj ka qenë dhe vazhdon të jetë thelbi i çlirimit të Kosovës dhe thelbi i shtetndërtimit të Kosovës, i krijimit të ushtrisë dhe institucioneve vitale të sigurisë, por edhe i zhvillimit ekonomik. Rrjedhimisht, fokusi i listës sonë do të jetë tek kapaciteti i Aleancës për t’i kryer detyrat që i nevojiten Kosovës për të dalë nga izolimi dhe për ta kthyer partneritetin dhe zhvillimin e brendshëm ekonomik.”
Abazi ka përmendur edhe disa nga emrat që pritet të jenë pjesë e listës, duke theksuar kontributet historike dhe përfaqësimet lokale.
“Është ish-kryeministri Agim Çeku që do të jetë pjesë e listës. Po përmend disa: Dardan Krasniqi, një ish-aktivist i devotshëm i kundërshtisë së LVV-së në një kohë, e tani është pjesë e listës sonë. Do të kemi edhe gjeneratën e dytë të aktivistëve të devotshëm për çështjet patriotike, çështjet nacionale, të atyre që kanë qenë në udhëheqje në faljen e gjaqeve në kohën e udhëheqjes së Anton Çetës. Do të thotë, gjenerata e dytë, fëmijët e tyre, do të jenë pjesë e listës, si dhe njerëz eminentë të fushave, përfshirë edhe kandidatëve që kanë marrë besimin në nivelin e asambleve komunale. Për ne është e rëndësishme që të ketë ndërlidhje të nivelit lokal me atë qendror, në mënyrë që votuesi i Kosovës të ketë besim në përfaqësimin e interesave të tyre në Parlamentin e Kosovës”, theksoi ai.Abazi ka kritikuar klimën e rëndë të komunikimit politik, duke kërkuar ndalimin e gjuhës së urrejtjes në fushatë.“Tani janë procese të cilat realisht janë bërë komplekse për shkak të gjuhës që është përdorur dhe formatit në të cilin fushata elektorale është kthyer në arenë të ushqimit të urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë. Unë uroj dhe i bëj thirrje Kurtit dhe LVV-së që të ndalojnë me këtë gjuhë të përçarjes dhe denigrimit të personaliteteve. Ne nuk jemi shumë si popull, por as si politikë, që të kemi këtë lloj goditjesh dhe një shpërfaqje të urrejtjes së skajshme. Duhet të fokusohemi te oferta: se çfarë do të bëjmë për ekonominë, çfarë për arsimin, për shëndetësinë, sigurimin shëndetësor. Pas 20 vitesh, Kosova ende nuk ka sigurim shëndetësor dhe mendoj që çdo qytetar, çdo prind që ka fëmijë duhet të jetë i interesuar të dijë kush do ta bëjë dhe si do të funksionojë sigurimi shëndetësor”, tha ai.
Ai tha se AAK-ja do të garojë në zgjedhje e vetme, por me lista të hapura ndaj individëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
“Ne jemi përcaktuar që në fillim që këtë herë do të shkojmë të vetëm si sigël e partisë, por të hapur ndaj individëve dhe grupacioneve politike, grupeve të interesit për të përfaqësuar zërin e tyre në listën tonë dhe ajo po ndodh. Ne do të shkojmë si Aleancë në zgjedhje duke përfshirë emra eminentë që kanë devotshmërinë e tyre ndaj interesit publik dhe përfaqësimit të zërit në Parlamentin e Kosovës. Jo, nuk kemi pasur takime sa i përket listës së përbashkët, por takime ekzistojnë, komunikimi ekziston me partitë e tjera edhe me PDK-në, edhe me LDK-në dhe do të vazhdojmë komunikime të hapura. Mendoj që politika mund të jetë arenë mospajtimesh, por ballafaqim i argumenteve dhe koncepteve më të mira që do të prezantohen para qytetarëve”, shtoi Abazi.
Më 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale, kjo pasi nuk pati formim të institucioneve prej më shumë 10 muaj. Zgjedhjet e fundit nacionale ishin më 9 shkurt të vitit 2025.


















