Aktivisti i Vetëvendosjes nga Shqipëria, Boiken Abazi, ka reaguar përmes profilit të tij në Facebook, ndaj asaj që ish-deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi i tha në Rubikon të KTV-së.
“Meqenëse miku ynë, Florin Krasniqi, këshillën që mos të angazhohem në Kosovë nuk ma ka thënë kurrë kur jemi takuar bashkë, por ma thotë sot përmes TV, kam një pyetje: Florin, tash që Dardan Molliqaj vjet ka marrë nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë me adresë banimi te shtëpia ime në Tiranë, Molliqaj me origjinë nga Deçani e banues ne Prishtinë, ku do duhej te angazhohej sot Molliqaj?”, ka shkruar Abazi.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi në Rubikon të KTV-së ka folur për anëtarët e VV-së nga Shqipëria, të cilët i quajti “parashutistë”.
“Nuk jam kundër atyre të Shqipërisë, jam për. Ata mendojnë që janë shumë më të mençur, por ka qenë mirë me bë diçka në Shqipëri”, u shpreh ai.
Krasniqi tha që Boiken Abazi ka punuar për parti mirëpo për Elvis Hoxhën nuk i njeh ndonjë kontribut.
“Kam respekt për Boikenin, ka shpenzu kohë shumë. Elvis Hoxha nuk e di se çka ka bërë që të përzihet”, tha ai.
“Ata kish qenë mirë me ardhë e me punu si Dardan Molliqaj në terren. Me luftu si qysh ka luftu familja e Dardan Molliqajt. Është e lehtë me fol fjalë të ndyta, unë nuk kam respekt për njerëzit që flasin fjalë të ndyta”, ka thënë ai.
I pyetur se pse Kurti nuk po i ndalon veprimet e tilla, ai ka thënë që duhet të pyetet ai mirëpo sipas Krasniqi, as Kurti nuk mund të bëj diçka të tillë.



















